Grupi A

Postuar më: 4 June / 13:00

Grupi A

Brazili kërkon Kupën e gjashtë

Grupi A përbëhet nga Brazili, Kroacia, Meksika dhe Kameruni. Përfaqësuesja nikoqire është favorite për ta kryesuar grupin, kurse tre kombëtaret tjera pritet të luftojnë për vendin e dytë.

Brazili është përfaqësuesja më e trofeshme në botë dhe e ka fituar plot pesë herë Kupën e Botës. Kësaj radhe luan në shtëpi dhe do të jetë jashtëzakonisht i motivuar nga tifozët, të cilët nuk e pranojnë dështimin. Përveç se kanë fituar më shumë trofe, brazilianët mund të krenohen edhe për faktin se janë përfaqësuesja e vetme që është paraqitur në të gjitha Kampionatet e deritanishme Botërore. Ekipi i Luiz Felipe Scolarit do ta kërkojë vetëm pozitën e parë në grup, vendi i dytë për ta është dështim.

fred

Ylli i skuadrës është Neymar dhe i gjithë kombi i ka shpresat tek ai. Vlera totale e lojtarëve të kësaj përfaqësueseje është 440.5 milionë euro. Kjo flet për cilësinë që ka në dispozicion përzgjedhësi i Selecaos. Në raportin më të ri të FIFA-s të publikuar në muajin qershor, Brazili është kombëtarja e tretë më i mirë në botë, prapa Spanjës dhe Gjermanisë.

Disa statistika interesante

Renditja më e mirë sipas FIFA-s: Pozita 1 (maj 1994 dhe korrik 2010)

Renditja më e keqe sipas FIFA-s: Pozita 22 (qershor 2013)

Lojtari me më së shumti paraqitje: Cafu (142)

Golashënuesi më i mirë: Pele (77 gola)

Fitorja më e lartë: Brazil 14-0 Nikaragua (tetor 1975)

Humbja më e thellë: Uruguai 6-0 Brazil (shtator 1920)

Sukseset:

- Kampionati Botëror – 19 pjesëmarrje (5 tituj)

- Kupa e konfederatave – 7 pjesëmarrje (4 tituj)

- Copa America – 33 pjesëmarrje (8 tituj)

brazil

Brazili ka luajtur ndaj të tre këtyre kundërshtarëve në kampionatet e mëparshme. Ndeshja hapëse kundër Kroacisë, do të shënojë përsëritjen e ndeshjes së parë nga viti 2006 në Gjermani, të cilën e fituan me një gol të Kaka. Në SHBA, në vitin 1994, Selecao mposhti Kamerunin me rezultat 3-0 me golat e Romario, Bebeto e Marcio Santos. Do të jetë hera e katërt që Brazili ndeshet me Meksikën në Kampionate Botërore. Tri përballjet e para i ka fituar Brazili duke shënuar 11 gola dhe duke mos pranuar asnjë.

Kroacia është përfaqësuesja e dytë që do të përpiqet të dalë nga faza grupore krahas nikoqirit. Përfaqësuesja nga Ballkani ka udhëtuar me mjaft optimizëm drejt vendngjarjes së turneut botëror dhe do të përpiqet ta arrijë qëllimin që së paku të kalojë në fazën eliminimit direkt. Me futbollistë, si Luka Modric e Mario Mandzukic (i cili nuk luan në ndeshjen e parë ndaj Brazilit për shkak të kartonëve), Kroacia ka gjasa më të mira se dy rivalët tjerë. Vlera totale e lojtarëve të kësaj përfaqësuese është 193.2 milionë euro.

Meksika është një kombëtare, e cila tradicionalisht nuk ka luajtur keq në Kampionate Botërore. Këtë herë arritën me vështirësi në ‘Brazili 2014’, meqë u desh të kualifikoheshin përmes ‘play-offit’, por në dy ndeshje e shkelën Zelandën e Re me rezultat 9-3. Në pesë kampionatet e fundit e kanë kaluar fazën grupore, por janë eliminuar në fazën e eliminimit direkt, prandaj nëse shikohet kjo statistikë, atëherë mund të paramendohet që krahas Brazilit, nga Grupi A do të vazhdojë edhe Meksika.

Përfaqësuesja e Kamerunit vjen në Botëror pas problemeve në shtëpi. Lojtarët hynë në grevë për shkak të pakënaqësisë rreth premive që u ka ofruar Federata e Futbollit e atij vendi. Lojtarët refuzuan të niseshin me aeroplan në ditën e caktuar për të udhëtuar në Brazil. Mirëpo, më pas arritën marrëveshje me federatën dhe vendosën të udhëtonin në Kampionatin Botëror. Përkundër këtyre problemeve, kur kihen parasysh emrat e lojtarëve që ka në skuadër kjo përfaqësuese, gjithmonë ekziston mundësia për të befasuar.

etoo

Lojtarët për t’u shikuar

Neymar (Brazil), Fred (Brazil), Thiago Silva (Brazil), Oribe Peralta (Meksikë), Raul Jimenez (Meksikë), Samuel Eto’o (Kamerun), Alexandre Song (Meksikë), Mario Mandzukic (Kroaci) and Luka Modric (Kroaci).

 

Kryendeshja

Meksikë-Kroaci: Meqë Brazili është favorit për ta fituar Grupin A, Meksika dhe Kroacia pritet të kenë një përballje vendimtare në xhiron e fundit (më 23 qershor) në Recife. Ndeshja sjell përballë dy skuadra që u kualifikuan me vështirësi në Kampionatin Botëror, porse që janë të njohura me futboll sulmues që kënaq syrin e publikut.

 

A e dini se…

Që nga ‘Spanja 1982’, Brazilit i kanë mjaftuar vetëm dy ndeshjet e para për ta siguruar kualifikimin për fazën e eliminimit direkt. Hera e fundit që kjo përfaqësuese e kërkoi kualifikimin në xhiron e tretë ishte në vitin 1978 në Argjentinë, kur Roberto Dinamite shënoi golin që e mposhti Austrinë.

roro

Numra

Në total në të gjitha garat, Brazili dhe Meksika janë ndeshur 38 herë me njëri-tjetrin. Selecao numëron 22 fitore, gjashtë ndeshje kanë përfunduar baras, ndërsa El Tri ka fituar dhjetë herë. Në këto përballje, Meksika ka shënuar 36 gola dhe ka pranuar 71.

0 komente