Grupi B

Postuar më: 4 June / 13:01

Grupi B

Spanja dëshiron ta vazhdojë mbretërimin

Grupi B do të ketë disa elemente që përkujtojnë finalen e Kampionatit të kaluar Botëror. Gara në këtë grup fillon pikërisht me një përballje ndërmjet kampionit dhe finalistit nga viti 2010, Spanjës dhe Holandës. Krahas këtyre dy skuadrave favorite, pjesë e këtij grupi janë edhe Kili dhe Australia.

spanjkup

Natyrisht që La Roja mbetet favoriti kryesor për ta fituar këtë grup. Vlera totale e lojtarëve të kësaj përfaqësuese është plot 577 milionë euro.

Disa statistika për Spanjën

Renditja më e mirë sipas FIFA-s: Pozita 1 (qershor 2014)

Renditja më e keqe sipas FIFA-s: Pozita 25 (mars 1998)

Lojtari me më së shumti paraqitje: Iker Casillas (153)

Golashënuesi më i mirë: David Villa (56)

Fitorja më e lartë: Spanja 13-0 Bullgaria (1933)

Humbja më e thellë: Italia 7-1 Spanja (1928)

Sukseset

- Kampionati Botëror: 13 pjesëmarrje (1 titull)

- Kupa e Konfederatave: 2 pjesëmarrje

- Kampionati Evropian: 9 pjesëmarrje (3 tituj)

 

Megjithatë, La roja nuk do ta ketë aq lehtë përballë Tulipanëve, të cilët ishin mahnitës gjatë rrugës për në Brazil duke regjistruar nëntë fitore dhe një barazim nga dhjetë përballjet kualifikuese. Nuk duhet harruar i rrezikshmi Robin Van Persie, i cili shënoi 11 gola në fazën kualifikuese.

rvprobben

Kili, nga ana tjetër, zuri vendin e tretë në zonën e Amerikës Jugore dhe ka udhëtuar në Brazil me një grup mjaft të talentuar lojtarësh dhe nuk do t’ua bëjë të lehtë punën aspak dy përfaqësueseve evropiane. Me futbollistët, si Alexis Sanchez (Barcelona) dhe Arturo Vidal (Juventus), kilianët zhvillojnë një lojë mjaft ofensive.

Australia që kualifikohet për të tretën herë radhazi në Botëror (dhe për të katërtën herë në përgjithësi), konsiderohet si skuadra jofavorite e këtij grupi, duke qenë se faza kualifikuese u shoqërua me disa ngritje dhe ulje dhe duke marrë parasysh kualitetin e skuadrave tjera të këtij grupi.

 

Lojtarët për t’u shikuar

Xavi (Spanjë), Andres Iniesta (Spanjë), Xabi Alonso (Spanjë), Arjen Robben (Holandë), Robin Van Persie (Holandë), Arturo Vidal (Kili), Alexis Sanchez (Kili), Claudio Bravo (Kili), Tim Cahill (Australi), Lucas Neill (Australi).

Vidal-Alexis

Kryendeshja

Spanja-Kili: Përballja e xhiros së dytë e këtij grupi mund të vendosë shumëçka rreth fatit të përfaqësueseve që mund të kualifikohen në fazën e eliminimit direkt.

Takimi mes tyre do të jetë i katërti brenda katër vitesh, pas fitores së Spanjës (2-1) në ‘Afrikën e Jugut 2010’ dhe dy ndeshjeve tjera miqësore. Meqenëse Kili arriti të nxjerrë barazim (2-2) në përballjen e fundit mes këtyre skuadrave, kjo përfaqësuese do të shpresojë që të regjistrojë fitore kundër kampionit në fuqi.

 

Histori e shkurtër

Më 11 korrik të vitit 2010 në Johanesburg të Afrikës së Jugut, Spanja e mposhti Holandën me rezultat 1-0 në vazhdime, për të fituar Kupën e Botës. Fati ka dashur që katër vite pas, dy finalistët nga Botërori i fundit të ndeshen prapë.

Goli i Andres Iniestas në minutën e 116-të ia siguroi Spanjës titullin e parë botëror, ndërkohë që Holanda pësoi në finalen e saj të tretë në një kampionat.

 

A e dini se…

Triumfi në Afrikën e Jugut në vitin 2010 e bëri Spanjën shtetin e tetë që e ka fituar Kupën e Botës dhe të parin që e fiton pasi e filloi turneun me humbje. Të zgjedhurit e Vicente Del Bosques pësuan me rezultat 1-0 nga Zvicra në ndeshjen e parë të fazë grupore.

espania

Statistikë

Spanja dhe Australia nuk janë takuar asnjëherë më parë në nivel seniorësh, po ashtu ndaj njëri-tjetrit nuk kanë luajtur as Kili dhe Holanda.

0 komente