Grupi E

Postuar më: 6 June / 11:54

Grupi E

Shqiptarët në aksion

Përfaqësuesja e Zvicrës është padyshim skuadra të cilën do ta përcjellim më së shumti në Kampionatin Botëror falë numrit të lojtarëve shqiptarë që përfaqësojnë Helvetikët. Pesë janë futbollistët shqiptarë që bartin peshën kryesore të kësaj skuadre. Zvicra do të përpiqet t’i konkurrojë Francës për pozitën e parë në grup, edhe pse Les Bleus konsiderohen favoritë për ta fituar Grupin E.

shaq

Rrugës për në Brazil, Zvicra kryesoi grupin e vet me shtatë pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Islanda. Ndërkaq, Franca edhe pse i bëri preson kamponit Spanjës, e zuri vendin e dytë në grup dhe iu desh që kualifikimin ta kërkonte në ‘play-off’. Por, ajo që bëri në ndeshjen kthyese kundër Ukrainës (pasi kishte humbur 2-0 si mysafir), i bën të gjithë kundërshtarët që të kenë respekt ndaj Les Bleus. Në terren të vet, Franca fitoi me rezultat 3-0 dhe mori vizën për Brazil.

Jashtë garës për dy vendet e para janë Ekuadori dhe Hondurasi, duke qenë se të gjithë i favorizojnë skuadrat evropiane. Megjithatë, futbolli është i krijuar për të dhënë befasi, ashtu që gjithçka mund të ndodhë.

 

Lojtarët për t’u shikuar

Granit Xhaka (Zvicër), Xherdan Shaquiri (Zvicër), Valon Behrami (Zvicër), Blerim Xhemaili (Zvicër), Admir Mehmedi (Zvicër), Hugo Lloris (Francë), Patrice Evra (Francë), Oliver Giroud (Francë), Karim Benzema (FRA), Walter Ayovi (Ekuador), Antonio Valencia (Ekuador), Wilson Palacios (Honduras), Roger Espinoza (Honduras).

shqipe

Kryendeshja

Zvicër-Francë: Derisa ekipi i Ottmar Hitzfeld zuri vendin e parë në grup në fazën kualifikuese, të zgjedhurit e Didier Deschamps nuk e patën të lehtë rrugën për në Brazil. Nëse Zvicra është e efektshme në sulm dhe solide në mbrojtje, siç ishte gjatë kualifikimeve, atëherë do jetë një ndeshje e bukur dhe njëherësh këto dy përfaqësuese do t’i shohim në të tetën e finales.

 

Histori e shkurtër

Pikërisht katër vite më parë (Afrika e Jugut 2010), Zvicra dhe Hondurasi ishin përfshirë në po të njëjtin grup. Asokohe përballja mes tyre u mbyll pa gola. Kjo ishte hera tjetër e vetme kur janë ndeshur këto dy përfaqësuese në një Kampionat Botëror.

Në atë turne, Helvetikët filluan fuqishëm duke e mposhtur Spanjën (që më vonë u bë kampion), mirëpo shumë shpejt hoqën këmbën nga gazi dhe u eliminuan në fazën grupore. Kësaj radhe e kanë mundësinë t’i ndryshojnë gjërat.

 

A e dini se…

Zvicra është përfaqësuesja e vetme që e ka mposhtur Spanjën gjatë periudhës dominuese të La Roja në futbollin botëror, që fitoi dy Kampionate Evropiane (Euro 2008 dhe Euro 2012) dhe një Kampionat Botëror (KB 2010).

swiss

Numra

Një është numri i ekipeve në Grupin E me përvojë të arritjes në një finale apo gjysmëfinale të Kampionatit Botëror. Franca është shpallur kampion bote në vitin 1998 në terren vendas dhe luajti kundër Italisë në finalen e vitit 2006, derisa asnjë nga kombëtaret tjera nuk e ka kaluar çerekfinalen.

Zvicra arriti deri në çerekfinale në vitin 1954 kur ishte nikoqir i turneut dhe dy herë të tjera është kualifikuar në të tetën e finales (1994 dhe 2006). Ekuadori ka arritur në të tetën e finales një herë (2006), kurse Hondurasi nuk e ka kaluar asnjëherë fazën grupore.

0 komente