Postuar më: 4 June / 17:05

Historiku

Nursing scholarship essay how funds will help reddit essay help why ask for help on your essay

Rreth Kampionatit Botëror

Kampionati Botëror (apo Kupa e Botës) është një garë ndërkombëtare e përfaqësueseve të meshkujve të shteteve anëtare të FIFA-s, federatës qeverisëse të futbollit. Turneu mbahet çdo katër vjet që nga koha e themelimit (1930), pos viteve 1942 dhe 1946 që nuk është mbajtur, për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Kampioni në fuqi është Spanja, e cila e fitoi turneun e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.

Spanja-2010

Formati i turneut

Formati aktual i kampionatit përfshin 32 përfaqësuese që garojnë për trofeun në stadiume të ndryshme të vendit nikoqir për një periudhë rreth një muaj. Kjo fazë zakonisht emërohet si ‘finalet e Kampionatit Botëror’. Faza kualifikuese, e cila mbahet gjatë tre viteve paraprake, shfrytëzohet për të përcaktuar se cilat skuadra nga zonat kontinentale do t’i bashkohen nikoqirit (që kualifikohet automatikisht) në turneun final.

Në ‘finalet e Kampionatit Botëror’ ekzistojnë dy faza: faza grupore dhe faza e eliminimit direkt.

fazën grupore, përfaqësueset garojnë të tetë grupe, të cilat përmbajnë nga katër skuadra të zgjedhura me short. Dy ekipet që zënë vendet e para në secilin grup, vazhdojnë në fazën e eliminimit direkt. Në rast të pikëve të barabarta merret parasysh diferenca e golave, kurse më pas ndeshjet ballë për ballë.

Faza e eliminimit direkt bazohet në një ndeshje, gjatë cilës skuadra fituese vazhdon tutje. Në rast të barazimit, ekzistojnë vazhdimet dhe në fund penaltitë e vendosin fituesin nëse kjo është e domosdoshme. Kjo fazë fillon me 1/8 e finales, ku vendi i parë i një grupi, luan me vendin e dytë të grupit tjetër. Pasojnë çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe në fund finalja.

adp

Fituesit e Kupës së Botës

Me pesë tituj të fituar, Brazili është përfaqësuesja më e suksesshme në Kampionatin Botëror dhe është kombëtarja e vetme që ka luajtur në gjithë kampionatet e deritanishme (19 kampionate), ndërsa është nikoqir i kampionatit të 20-të (Brazili 2014).

Italia (1934 dhe 1938) dhe Brazili (1958 dhe 1962) janë të vetmet përfaqësuese që i kanë fituar nga dy tituj radhazi. Gjermania është kombëtarja me më së shumti pjesëmarrje në top-katërshen përfundimtare, 12 herë. Ndërsa në dy vendet e para ka përfunduar shtatë herë, po aq sa Brazili.

 Brazil-2002

Kombëtaret që e kanë fituar Kampionatin Botëror:

Brazili – 5 tituj (1958, 1962, 1970, 1994, 2002)

Italia – 4 tituj (1934, 1938, 1982, 2006)

Gjermania (Gjermania Perëndimore) – 3 tituj (1954, 1974, 1990)

Uruguai – 2 tituj (1930, 1950)

Argjentina – 2 tituj (1978, 1986)

Anglia – 1 titull (1966)

Franca – 1 titull (1998)

Spanja – 1 titull (2010)

matthaus

Statistika dhe rekorde

Dy lojtarë ndajnë rekordin për më së shumti paraqitje në Kampionate Botërore, me nga pesë: meksikani Antonio Carbajal (1950–1966) dhe gjermani Lothar Matthaus (1982–1998). Matthaus ka zhvilluar më së shumti ndeshje në Kampionate Botërore, 25.

Legjenda braziliane, Pele, është lojtari i vetëm që ka fituar tri medalje në Kampionate Botërore (1958, 1962 dhe 1970, edhe pse nuk luajti në finalen e vitit 1962 për shkak të lëndimit).

Golashënuesi më i mirë në histori të Kampionateve Botërore është braziliani Ronaldo me 15 gola (1998–2006). Gjermanët Miroslav Klose (2002–2010) dhe Gerd Muller (1970–1974) ndajnë vendin e dytë me nga 14 gola. I katërti në renditje është francezi Just Fontaine, por ai mban rekordin për më së shumti gola të shënuar në një kampionat të vetëm – të gjithë 13-të golat e tij janë shënuar në Kampionatin Botëror të vitit 1958.

Ronaldo of Brazil

Braziliani Mario Zagallo dhe gjermani Franz Beckenbauer janë të vetmit që e kanë fituar Kupën e Botës edhe si lojtarë edhe si trajnerë. Italiani Vittorio Pozzo është trajneri i vetëm që e ka fituar dy herë Kampionatin Botëror (1934 dhe 1938).

Sa u përket përfaqësueseve, Gjermania ka zhvilluar më së shumti ndeshje në Kampionate Botërore, 99, ndërsa Brazili ka shënuar më së shumti gola, 210. këto dy kombëtare kanë luajtur vetëm një herë kundër njëra-tjetrës, në finalen e vitit 2002 të fituar nga Selecao.

 

Çmimet

Në fund të çdo Kampionati Botëror ndahen çmimet për lojtarët dhe përfaqësueset, për arritjet e tyre gjatë këtij turne (duke mos përmendur tri vendet e para).

Topi i Artë – për lojtarin më të mirë, ndërsa Topi i Argjendtë dhe Topi i Bronztë u jepen dy lojtarëve që zënë vendin e dytë, respektivisht të tretin, nga votimet.

Këpuca e Artë – për golashënuesin më të mirë të turneut (që pasohet me Këpucën e Argjendtë dhe të Bronztë).

Dorëza e Artë – i dorëzohet portierit më të mirë.

Ikercasillas-cmimet

Çmimi për lojtarin e ri më të mirë – i jepet lojtarit më të mirë të kampionatit nën moshën 21 vjeçare.

Trofeu për lojë të ndershme (FIFA Fair Play) – e fiton përfaqësuesja me rekordin më të mirë të lojës së ndershme dhe të drejtë.

Skuadra më argëtuese – është çmim që votohet nga publiku për skuadrën që i ka kënaqur më së shumti tifozët.

Ekipi i yjeve – nga viti 1998 zgjidhet edhe skuadra më e mirë e turneut që përfshin njëmbëdhjetë lojtarët më të mirë në pozitat e tyre.

 

Trofeu i Kupës së Botës

Nga viti 1930 deri në vitin 1970, përfaqësueses fituese i është ndarë trofeu “Jules Rimet” (që është emëruar sipas presidentit të FIFA-s, Jules Rimet, i cili themeloi turneun e parë) që është njohur si ‘Kupa e Botës’. Mirëpo, në vitin 1970, kur Brazili e fitoi për të tretën herë, Selecaos iu dha e drejta që ta merrte trofeun përgjithmonë. Megjithatë, në vitin 1983, ai trofe është vjedhur dhe akoma nuk është gjetur.

trofeu

Pas vitit 1970, është dizajnuar një trofe i ri, i quajtur ‘Trofeu i FIFA Kupës së Botës’. Ekspertë të shumtë nga vende të ndryshme prezantuan 53 modele të trofeut, ndërsa fituesi u shpall dizajneri italian Silvio Gazzaniga. Trofeu i ri është 36 centimetra i lartë dhe është i ndërtuar nga ari prej 18 karatësh, ndërsa peshon 6.175 kilogramë.

0 komente