Postuar më: 15 June / 00:49

Italia me leksione për Anglinë

Kombëtarja e Italisë e ka fituar përballjen kryesore të Grupit D duke e mposhtur Anglinë me rezultat 2-1 nëArena Amazonia.

Në fraksionin e parë, Azzurrët bënë lojë dominuese me posedim të topit dhe me ndërtim të ngadalshëm të aksioneve, ndërkohë që loja e Tre Luanëve bazohej në kundërsulme.

Një top të Verrattit, Pirlo e lëshoi për Claudio Marchision dhe mesfushori i Juventusit realizoi një gol të bukur nga largësia (35’).

Mirëpo, anglezët u kthyen shumë shpejtë në lojë. Rooney dërgo një harkim fenomenal nga e majta dhe Daniel Sturridge e pati të lehtë të shënonte në portën thuajse të zbrazët (37’).

Para se skuadrat të shkonin në pushim, Italia pati dy raste të shkëlqyera për të kaluar në epërsi. Fillimisht, Balotelli në mënyrë mjeshtërore e paraboloi topin drejt portës, por Jagielka shpëtoi në rolin e portierit. Më pas, Candreva depërtoi, por arriti vetëm ta godasë shtyllën.

Edhe në gjysmën e dytë, Azzurrët vazhduan të luanin me pasime të shpeshta, ndërsa anglezët tentonin menjëherë të arrinin te porta porsa e kishin topin në posedim.

Candreva u angazhua nga e djathta dhe dërgoi një harkim në zonë, të cilin e priti Mario Balotelli për të shënuar me kokë (50’).

Pas golit të pësuar, Tre Luanët u përpoqën maksimalisht të shënonin duke bërë presion dhe duke krijuar raste, mirëpo italianët mbroheshin me qetësi.

Në minutat shtesë, Andrea Pirlo goditi transversalen nga gjuajtja e lirë.

Italia është në vend të dytë në Grupin D, me pikë të barabarta me Kosta Rikën, ndërsa Anglia dhe Uruguai janë pa pikë.

Në xhiron e dytë, Uruguai luan ndaj Anglisë, kurse Italia kundër Kosta Rikës. /Telegrafi/

0 komente