Postuar më: 8 June / 02:10

Portugalia

Pjesëmarrjet e mëparshme: 5

Tituj: 0

Rangimi sipas FIFA-s: 4

 

Historia në Kampionate Botërore

Portugalia nuk ka qenë pjesëmarrëse në një Kampionat Botëror deri në vitin 1966 kur edhe debutoi. Pikërisht ai turne ishte më mbresëlënësi në histori të kësaj kombëtareje.

Të udhëhequr nga i madhi Eusebio, gjenerata e artë e Portugalisë eliminoi Brazilin në rrugën për në gjysmëfinale, ku u ndeshën me nikoqirin. Anglia i mposhti në gjysmëfinale, ndërsa ngushëllimin portugezët e gjetën në fitoren ndaj Bashkimit Sovjetik për të zënë vendin e tretë të turneut.

Në kampionatet e radhës, portugezët nuk kanë kujtime të mira. Në ‘Meksika 1986’, Portugalia e nisi me fitore pikërisht kundër Anglisë, mirëpo pësoi humbje nga Polonia dhe Maroku dhe e përfundoi garën që në fazën grupore.

Kjo përfaqësuese mungoi në Itali (1990), në SHBA (1994) dhe në Francë (1998), ndërsa iu kthye Botërorit në Kore dhe Japoni në vitin 2002, kur përsëri dështoi.

Tjetër gjë ndodhi në Gjermani në vitin 2006. Nën drejtimin e Luiz Felipe Scolarit, njeriut që katër vite më parë e kishte fituar kampionatin me Brazilin, Portugalia arriti deri në gjysmëfinale, ku u eliminua nga (Franca) një penalti e Zinedine Zidane. Pastaj të zgjedhurit e Scolarit humbën ndeshjen për vendin e tretë, të cilën e fitoi nikoqiri (Gjermania).

Në turneun e fundit, ‘Afrika e Jugut 2010’, ëndrra e Portugalisë u shua në të tetën e finales, ku pësoi me rezultat 1-0 nga skuadra që u shpall kampion, Spanja.

 

Kualifikimi për KB 2014

Për të dytën herë radhazi, Portugalia u desh ta kërkonte kualifikimin përmes ‘play-offit’. Portugalia ishte pjesë e Grupit F kualifikues, në të cilin regjistroi gjashtë fitore, tri barazime dhe një humbje.

Me 21 pikë të grumbulluara, kjo kombëtare u rendit e dyta pas Rusisë, me një pikë diferencë. Në ‘play-off’ patën kundërshtar Suedinë.

Futbollisti më i mirë në botë për vitin e kaluar, Cristiano Ronaldo, u bë heroi i kombëtares së tij. Në përballjen e parë në shtëpi, superylli i Real Madridit shënoi golin e vetëm në atë takim.

Në përballjen thyese, CR7 realizoi het-trik kundrejt dy golave të Zlatan Ibrahimovic dhe e dërgoi përfaqësuesen e tij në Kampionatin Botëror.

 

Lojtarët kryesorë

Kur është fjala për futbollistin më të mirë të Portugalisë, ai quhet Cristiano Ronaldo. 29-vjeçari i ka dëshmuar cilësitë e veta në nivel klubi dhe ndërkombëtar, megjithatë atij i mungojnë trofetë e mëdha me kombëtaren e tij.

Trajneri Paulo Bento ka në dispozicion edhe dyshen e hekurt të mbrojtjes, Pepe dhe Bruno Alves, së bashku me krahët Joao Pereira dhe Fabio Coentrao

Joao Moutinho është zemra e kreativitetit në mesfushë, derisa Nani është i gatshëm të shkëlqejë në fushë me Ronaldon.

CristianoRonaldo

Performancat më të mira në një Kampionat Botëror: ‘Anglia 1966’ (vendi i tretë).

 

Skuadra e plotë

Portierë: Beto (Sevilla), Eduardo (Braga), Rui Patricio (Sporting Lisbon).

Mbrojtës: Andre Almeida (Benfica), Bruno Alves (Fenerbahce), Fabio Coentrao (Real Madrid), Joao Pereira (Valencia), Neto (Zenit St Petersburg), Pepe (Real Madrid), Ricardo Costa (Valencia).

Mesfushorë: Joao Moutinho (Monaco), Miguel Veloso (Dynamo Kyiv), Raul Meireles (Fenerbahce), Ruben Amorim (Benfica), William Carvalho (Sporting Lisbon), Rafa (Braga).

Sulmues: Cristiano Ronaldo (Real Madrid), Eder (Braga), Helder Postiga (Lazio), Hugo Almeida (Besiktas), Nani (Manchester United), Silvestre Varela (Porto), Vieirinha (Wolfsburg).

Trajneri: Paulo Bento

Eusebio

Yjet e dikurshme: Eusebio, Coluna, Simoes, Jose Augusto, Torres, Jaime Graca, Rui Costa and Luis Figo.

0 komente