Të gjithë shqiptarët në të tetën e finales

Të gjithë futbollistët shqiptarë që luajnë në Kampionatin Botëror janë kualifikuar në të tetën e finales së këtij turneu me përfaqësueset e tyre.

Shtatë futbollistë shqiptarë u ftuan në garën e madhe botërore dhe të gjithë ata kanë arritur që ta kalojnë me sukses fazën grupore.

Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi dhe Blerim Xhemaili, të cilët e përfaqësojnë Zvicrën, në fazën tjetër do të luajnë përballë Argjentinës.

Mbrojtësi i Sampdorias, Shkodran Mustafi, i cili luan për Gjermaninë, në 1/8 e finales do të luajë kundër Algjerisë dhe gjasat janë të mëdha për t’u kualifikuar në çerekfinale.

Belgjika, ku debutoi Adnan Januzaj në një Kampionat Botëror, në përballjen e eliminimit direkt do të ketë punë me Shtetet e Bashkuara.

Të shpresojmë që këto përfaqësuese të shkojnë sa më larg në turneun e madh, në mënyrë që të shohim bashkëkombësit tanë në fazat e mëtutjeshme. /Telegrafi/

0 komente