Grupi F

Postuar më: 6 June / 11:54

Grupi F

Ka ardhur momenti i Messit

Superylli argjentinas, Lionel Messi, e ka shansin më të mirë që të hyjë në analet e futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave duke e fituar Kampionatin Botëror.

Sulmuesi i Barcelonës ka fituar gjithçka që mund të ëndërrojë një futbollist, ai ka thyer rekorde të shumta dhe i ka fituar të gjitha çmimet kolektive dhe individuale me Blaugranët.

Por, me kombëtaren e tij deri më tani ka dështuar të japë maksimumin. Për këtë arsye shpeshherë është kritikuar nga bashkëkombësit se nuk po angazhohet njësoj me përfaqësuesen ashtu siç bën me klubin.

messi

Megjithatë, mesfusha e Argjentinës nuk është ajo që e ka Barcelona, e cila vë në pah potencialin e Leo Messit. Por, kësaj radhe Albiceleste kanë një skuadër të mirë, e cila mund t’i ndihmojë kapitenit që të bëhet hero në turneun e sivjetmë.

Në Grupin F, Argjentina favorite ka për rivalë Nigerinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Iranin. Është hera e parë që përfaqësuesja nga Ballkani merr pjesë në këtë eveniment të madh. Me shumë lojtarë cilësorë, Bosnje e Hercegovina kryesoi Grupin G në fazën kualifikuese evropiane, me pikë të barabarta me Greqinë, por me golaverazh më të mirë.

Për Argjentinën dhe Nigerinë do të jetë një tjetër përballje mes këtyre rivalëve që e njohin njëri-tjetrin, pasi janë ndeshur edhe në të kaluarën. Po ashtu, do të jetë një përballje e drejtpërdrejtë e dy futbollistëve kryesorë, Lionel Messi dhe John Obi Mikel, të cilët janë ndeshur tri herë mes vete në gara të rëndësishme në mosha të ndryshme – finalja e Kampionatit Botëror U-20 (në vitin 2005 në Holandë), ndeshja për medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Pekin në vitin 2008 dhe faza grupore në Kampionatin e kaluar Botëror (Afrika e Jugut 2010). Në të tria këto raste ka fituar Argjentina.

obi

Dy herë kampioni i botës, Argjentina, është favoriti absolut i grupit dhe do të përpiqet që t’i shkojë turneut deri në fund dhe ta fitojë Kupën e Botës. Skuadrat tjera do të luftojnë për pozitën e dytë kualifikuese nga Grupi F.

Nigeria do të tentojë ta shfrytëzojë përvojën e vet, derisa Bosnje e Hercegovina dëshiron të prezantojë futbollin e vet argëtues dhe të hapur, me ç’rast ishte skuadra e katërt me më së shumti gola të shënuar në zonën evropiane gjatë kualifikimeve. Irani ka për trajner portugezin Carlos Queiroz, i cili do të shfrytëzojë organizimin e mirë dhe cilësitë teknike të lojtarëve në përpjekje për të befasuar.

 

Lojtarët për t’u shikuar

Lionel Messi (Argjentina), Sergio Aguero (Argjentina), Gonzalo Higuain (Argjentina), John Obi Mikel (Nigeri), Victor Moses (Nigeri), Victor Obinna (Nigeri), Edin Dzeko (BeH), Vedad Ibisevic (BeH), Miralem Pjanic (BeH), Reza Ghoochannejhad (Iran), Javad Nekounam (Iran), Karim Ansari (Iran).

???????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????

Kryendeshja

BeH-Nigeria: Meqenëse është normale se njerëzit do të presin që Argjentina t’i fitojë të gjitha përballjet, ky takim pritet të jetë më vendimtari. Do të jenë këto dy përfaqësuese (nëse e konsiderojmë Iranin si jofavorit) që do të përpiqen të dalin në vend të dytë dhe të kualifikohen në fazën e eliminimit direkt. Skuadra evropiane do të luajë në një turne të panjohur për ta, derisa afrikanët duan të kualifikohen në të tetën e finales për herë të parë që nga viti 1998.

 

A e dini se…

Bosnje e Hercegovina, e cila për herë të parë si një shtet i pavarur ka zhvilluar një ndeshje zyrtare në nëntor të vitit 1995, ishte shumë afër të kualifikohej në Kampionatin Botëror ‘Afrika e Jugut 2010’, por humbi në ‘play-off’ nga Portugalia. Po ashtu, vetëm portieri i dytë nga 23 lojtarët e zgjedhur për Botëror, luan në një klub vendas.

 

Numra

37 është numri i viteve qëkur Argjentina dhe Irani janë ndeshur për herë të parë dhe të vetme deri më tani. Ajo ndeshje, e cila u mbyll me rezultat 1-1, u zhvillua në Madrid në vitin 1977 dhe ishte pjesë e festimeve të 75 vjetorit të themelimit të Real Madridit. Një vit pas, La Albiceleste fituan Kupën e parë të Botës në terren vendas.

0 komente