Grupi G

Postuar më: 6 June / 11:57

Grupi G

Gjenerata gjermane dëshiron trofeun

Jo vetëm që është favorite për ta fituar Grupin G, por Gjermania është favorite për ta fituar të gjithë turneun. Tri herë kampioni i botës është njëri nga pretendentët kryesorë për ta rrëmbyer Kupën e Botës. Në katër turnetë e fundit të mëdha (KB 2006, Euro 2008, KB 2010 dhe Euro 2012), Die Mannschaft kanë arritur së paku deri në gjysmëfinale.

Edhe pse asnjëri nga pjesëtarët e këtij grupi nuk duhet nënçmuar, megjithatë Gjermania ka diçka më shumë se rivalët e saj. Në rast të një dite të mirë, portugezët kanë dëshmuar se mund t’u shkaktojnë probleme gjermanëve. Ganezët janë po ashtu të gatshëm për t’u hakmarrë ndaj kampionit të trefishtë botëror, duke qenë se kanë humbur në të kaluarën. Në ndërkohë, Jurgen Klinsmann e njeh ish-skuadrën e tij dhe me përfaqësuesen e SHBA-ve është i vendosur të kalojë në të tetën e finales.

lahm

Përkundër kësaj, një gjeneratë e tërë e lojtarëve gjermanë janë të vendosur ta marrin trofeun, pasi nuk do t’u jepet më shansi. Disa futbollistë të Bayern Munichut kanë fituar gjithçka me klubin e tyre dhe u kanë mbetur pa fituar trofetë e mëdhenj, meqë nuk kanë arritur të kenë sukses në të kaluarën duke dështuar në fazat e fundit të turneve.

Shqiptarët do ta përcjellin Gjermaninë edhe për një arsye tjetër. Aty luan edhe mbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi. Futbollisti i Sampdorias fillimisht nuk u përfshi në skuadrën finale prej 23 lojtarësh, por pas lëndimit të Marco Reus, atij iu bë ftesa që të jetë në Brazil.

Shkodran-Mustafi

Në këtë grup është edhe futbollisti më i mirë për vitin e kaluar, Cristiano Ronaldo. Ngjashëm si Leo Messi, edhe CR7 ka prekur ëndrrat me klubet e tij, Manchester United dhe tash Real Madrid. Arritjet e tij janë mahnitëse dhe rekordet rrallëkush do të arrijë që t’i prekë. Mirëpo, kur është fjala për kombëtaren, edhe 29-vjeçari ka ngecur. Duke pasur parasysh moshën e tij, ky është turneu në të cilin Ronaldo do ta japë maksimumin. Ai ka qenë i lënduar para fillimit të Botërorit dhe nuk luan me qind për qindëshin e tij, por niveli i lojës së tij është aq i lartë edhe kur luan në 60 për qind.

Për dallim nga Messi, Ronaldo nuk i ka bashkëlojtarët te përfaqësuesja aq të mirë sa janë te Argjentina, prandaj duhet të bëjë gjithçka thuajse vet. Megjithatë, ai dëshmoi në ‘play-off’ kundër Suedisë së është në gjendje që ta dërgojë përpara përfaqësuesen kur është i disponuar. Katër golat e CR7 në dy ndeshjet kundër suedezëve, ia siguruan Portugalisë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror.

runaldo

Lojtarët për t’u shikuar

Cristiano Ronaldo (Portugali), Nani (Portugali), Shkodran Mustafi (Gjermani), Mesut Ozil (Gjermani), Miroslav Klose (Gjermani), Landon Donovan (SHBA), Kevin-Prince Boateng (Gana).

 

Kryendeshja

Gjermani-Portugali: Përballja hapëse e këtij turneu padyshim që do të jetë një nga më të mirat për tifozët. Këto janë dy përfaqësueset kryesore të grupit dhe kushdo do të dëshirojë që t’i ndjekë ballë për ballë. Për më shumë, rezultati në këtë sfidë do të vendosë rrjedhën e mëtutjeshme se kush do të kryesojë në grup. Portugalia ka histori të keqe në përballjet me Gjermaninë dhe do të përpiqet që ta ndryshojë fatin.

 

A e dini se…

Portugalia dhe Gjermania kanë luajtur tri herë më parë në turne të mëdha. Në të tri rastet Die Mannschaft kanë dalë triumfues. Për herë të parë Gjermania e mposhti Portugalinë në ndeshjen për vendin e tretë në Botërorin e vitit 2006, pastaj i mposhti portugezët në çerekfinale të Euro 2008 dhe në Euro 2012 fitoi me rezultat minimal. Para ndeshjes në Kampionatin e fundit Evropian, Ronaldo pati deklaruar: “Do të kishte qenë mirë po të mos luanim ndaj tyre”.

portugalgjermani

Numra

Të katër këto skuadra arritën së paku deri në të tetën e finales në ‘Afrika e Jugut 2010’. Gana mposhti SHBA-të në 1/8 e finales dhe arriti deri në çerekfinale, ku u mposht nga Uruguai pas penaltive. Spanja u tregua e fortë edhe për Portugalinë edhe për Gjermaninë, të cilët i mposhti në të tetën e finales dhe në gjysmëfinale, respektivisht.

0 komente