Xherdan ShaqiriZvicra

Postuar më: 29 June / 12:47

Pas het-trikut në Botëror, Shaqiri u përmend 125 mijë herë në rrjetet sociale

Lajme të mira për Kosovën,Zvicra gjendet në valët e Shaqiromanisë. Sot nuk paska gazetë zvicerane pa një apo dy apo tre artikuj për Xherdan Shaqirin. Shaqiromania po vazhdon…

Gazeta “SonntagsZeitung” shkruan për entuziazmin e shqiptarëve kudo, e sidomos në Kosovë, për futbollistin trupvogël. Pas ndeshjes së fundit me Hondurasin, ku Shaqiri shënoi tre gola, emri i tij në rrjetet sociale u përmend 125 mijë herë.

Kjo është reklamë edhe për Kosovën – falas. Pas shumë viteve me konflikte, luftëra, kriza dhe varfëri shqiptarët e Kosovës, gjysma e të cilëve janë nën moshën 30-vjeçare, janë të etur për lajme të mira. Së paku Xherdan Shaqiri tani kujdeset për këto lajme, shkruan kolumnisti i Kohës Ditore, Enver Robelli.

Gazeta “SonntagsBlick” portretin familjen e Xherdan Shaqirit. Si erdhi nga Gjilani në Basel, ku babai i tij Iseni punoi murator? Babai sot thotë: “Fëmijët e mi nuk kanë ngrënë me lugë të arit dhe ky fakt neve dhe Xherdanin na kanë bërë edhe më të fortë”.

Pas çdo ndeshjeje, shkruan kjo gazetë, Xherdani i telefonon së pari nënës së tij, Fatimes, e cila nuk interesohet sa gola i ka shënuar, por a mos është lënduar biri i saj. Xherdani lavdëron sidomos gatimet e nënës së tij nga kuzhina tradicionale shqiptare. Vëllai Arianiti e kishte marrë me vete në fushë të futbollit Xherdanin e vogël. Vëllai tjetër Erdini merret me marketing në futboll dhe nganjëherë është edhe zëdhënës i Xherdanit.

Princesha e shtëpisë është motra 14-vjeçare, Medina. “SonntagsBlick” shpreson se uniteti mbresëlënës brenda familjes do t’i ndihmojë Xherdanit edhe të martën kundër Argjentinës.

Gazeta e Zvicrës frankofone “Le Matin” ka takuar në Gjenevë Blerimin, Ibrahimin dhe Afrimin – që të tre kushërinj të Xherdan Shaqirit – dhe kjo nuk duket si befasi, sepse gati gjysma e Zhegrës, fshatit të lindjes së Xherdanit, jeton në Gjenevë.

Gazeta “Schweiz am Sonntag” si tweet të javës e ka përzgjedhur shënimin e Shaqirit pas ndeshjes kundër Hondurasit: “I dedicate this Hattrick my lovely Family!! Thank you all for the support from Switzerland, Kosovo, Albania.” /Koha/Telegrafi/

0 komente