Postuar më: 9 June / 10:57

Shkodran Mustafi

Emri: Shkodran Mustafi

Mosha: 22 vjeç (17 prill 1992)

Gjatësia: 184 cm

Pesha: 74 kg

Shtetësia: Gjermania

Roli: Mbrojtës

Klubi: Sampdoria

 

Shkodran Mustafi është një mbrojtës, i cili luan për klubin italian Sampdoria. Ai është i lindur në Bad Hersfeld, kurse prindërit e tij janë nga Gostivari i Maqedonisë.

Ai e filloi karrierën në sistemet e të rinjve të 1. FV Bebra dhe pastaj te SV Rotenburg deri në vitin 2006. Më pas, kaloi te Hamburgu, ku ishte pjesë Akademisë së të rinjve për tre vite dhe pastaj shkoi në Ligën Premier – te Evertoni.

Në dimrin e vitit 2009, Shkodrani debutoi për klubin anglez në një ndeshje të Europa League kundër BATE Borisov duke zënë vendin e Tony Hibbert. Megjithatë, në vazhdim të qëndrimit te Evertoni (deri në vitin 2012), lojtari shqiptar nuk përfshihej në ekipin e parë, prandaj vendosi të largohej duke kaluar në Itali te Sampdoria.

UC Sampdoria v US Sassuolo Calcio - Serie A

Gjatë sezonit 2013/2014, Mustafi ishte lojtar i rregullt në mbrojtjen e Sampdorias duke i ndihmuar të sigurojë qëndrimin në Serie A edhe për sezonin e ardhshëm.

Shkodrani u përfshi në ekipin e Gjermanisë për Kampionatin Evropian të futbollit U-17 dhe arriti të shpallej kampion. Në vazhdim, ai është përfshirë në skuadrat e Gjermanisë të grupmoshave U-18, U-19 dhe U-20.

Megjithatë, në media ai kishte shprehur dëshirë që ta përfaqësonte Shqipërinë. Madje në janar të këtij viti, mediat shqiptare raportuan se Gianni de Biasi do ta ftonte në një ndeshje miqësore të luante për kuqezinjtë. Por, reagimi i Joachim Low ishte shumë i shpejtë. Në shkurt, përzgjedhësi gjerman e ftoi Shkodranin të merrte pjesë në një ndeshje miqësore kundër Kilit.

Low i befasoi të gjithë kur e përfshiu lojtarin shqiptar në skuadrën paraprake prej 30 lojtarësh për Kampionatin Botëror. Mirëpo, kur i zgjodhi 23 lojtarët për skuadrën përfundimtare, ashtu siç pritje, Shkodrani ishte nga ata që mbetën jashtë.

shkodran-posht

Mirëpo, Marco Reus u lëndua në një ndeshje miqësore pak ditë para fillimit të Botërorit dhe trajneri vendosi ta ftonte një mbrojtës në vend të mesfushorit, duke qenë se Gjermania ka mjaft lojtarë në pozitat ofensive.

Emri i Shkodran Mustafit ishte ai që u shtua në listën e lojtarëve të Gjermanisë për ‘Brazili 2014’, pas heqjes së emrit të Reus.

0 komente