Postuar më: 7 June / 20:52

Kampionati Botëror ‘Brazili 2014’

‘Kampionati Botëror 2014’ është turneu i 20-të i këtij lloji i organizuar nga FIFA, që është caktuar të zhvillohet në Brazil nga 12 qershori deri më 13 korrik 2014. Është hera e dytë që Brazili është nikoqir i kësaj gare, kurse për herë të parë ishte nikoqir në vitin 1950. FIFA bëri zgjedhjen e vendngjarjes në vitin 2007 duke vendosur që kampionati të zhvillohej në një shtet të Amerikës Jugore për herë të parë që nga viti 1978 (kur u zhvillua në Argjentinë). Ky është turneu i pestë që mbahet në Amerikën Jugore, ndërsa në katër herët e kaluara e kanë fituar kombëtare nga ky kontinent.

Përmes kualifikimeve që filluan në qershor të vitit 2011, siguruan pjesëmarrjen 31 shtete, ndërsa Brazili u kualifikua automatikisht në rolin e nikoqirit. Në turne zhvillohen 64 ndeshje në total në 12-të qytete të ndryshme të Brazilit me stadiume të reja apo të rinovuara enkas për Botëror.

Në Kampionatin e sivjetmë Botëror janë kualifikuar të gjithë fituesit e mëparshëm të Kupës së Botës që nga viti 1930 (Uruguai, Italia, Gjermania, Anglia, Argjentina, Franca dhe Spanja. Kampioni në fuqi është Spanja që në turneun e vitit 2010 në Afrikën e Jugut mposhti në finale Holandën me rezultat 1-0.

Spanja

Për herë të parë në një Kampionat Botëror po shfrytëzohet ‘teknologjia e vijës së golit’ e njohur edhe si ‘sistemi i vendimit të golit’. Është një metodë që shfrytëzohet për të vendosur nëse topi e ka kaluar në tërësi vijën fatale me ndihmën e pajisjeve elektronike që njëherësh i ndihmojnë arbitrit që ta quajë ose jo golin. Roli i kësaj teknologjie nuk është që të zëvendësojë rolin e arbitrave, por t’u ndihmojë atyre në marrjen e vendimeve.

 

Çmimet

Shuma totale e parave që do të ndahen për këtë turne është 576 milionë dollarë (duke përfshirë edhe 70 milionë dollarë që iu janë paguar klubeve, lojtarët e të cilëve marrin pjesë në Botëror). Kjo shumë është për 37 për qind më e madhe se ajo në vitin 2010. Para fillimit të garës, secila nga 32 përfaqësueset ka marrë nga 1.5 milion dollarë për shpenzimet përgatitore.

Pas fillimit të turneut, paratë ndahen si vijon:

- Nga 8 milionë dollarë – për secilën skuadër që eliminohet në fazën grupore (16 përfaqësuese).

- Nga 9 milionë dollarë – për secilën skuadër që eliminohet në 1/8 e finales (tetë përfaqësuese).

- Nga 14 milionë dollarë – për secilën skuadër që eliminohet në çerekfinale (katër përfaqësuese).

- 20 milionë dollarë – Vendi i katërt

- 22 milionë dollarë – Vendi i tretë

- 25 milionë dollarë – Finalisti

- 35 milionë dollarë – Fituesi

mascstad

Qytetet dhe Stadiumet

Në maj të vitit 2009 janë përzgjedhur 12 qytete, të cilat janë nikoqire të Kampionatit Botëror 2014: Belo Horizonte, Brasilia, Cuiaba, Curitiba, Fortaleza, Manaus, Natal, Porto Alegre, Recife, Rio de Janeiro, Salvador dhe Sao Paulo. Afro 3.47 miliardë dollarë janë shpenzuar në projektet e stadiumeve. Gjashtë nga qytetet nikoqire i kanë rindërtuar stadiumet, kurse gjashtë të tjerët i kanë rinovuar. (Për më shumë LEXO: Stadiumet).

 

Rregullat për skuadrat

Ngjashëm sikurse në ‘Afrika e Jugut 2010’, secila skuadër do të përbëhet nga 23 lojtarë (tre nga të cilët doemos duhet të jenë portierë). Secila kombëtare pjesëmarrëse duhet ta konfirmojë ekipin zyrtar më së largëti dhjetë ditë para fillimit të turneut. Skuadrat kanë të drejtë të bëjnë zëvendësime të vonshme në ekipet e tyre në rast të lëndimeve serioze deri në 24 orë para ndeshjes së tyre të parë.

Skuadrat

Faza grupore

Përfaqësueset pjesëmarrëse (32) janë të ndara në tetë grupe nga katër skuadra. Në secilin grup zhvillohen nga gjashtë ndeshje me ç’rast përfaqësueset luajnë nga një lojë kundër njëra-tjetrës (secila përfaqësuese do të zhvillojë nga tri ndeshje në fazën grupore). Një fitore vlerësohet me tri pikë, barazimi me një pikë, kurse humbja zero pikë. Kombëtaret që do të zënë pozitat një dhe dy në grup do të kualifikohen në të tetën e finales.

Në rast se skuadrat kanë pikë të barabarta në grup, atëherë skuadra që avancon do të përcaktohet në bazë të rregullave, sipas renditjes së mëposhtme:

- diferenca e golave në të gjitha ndeshjet

- numri më i madh i golave të shënuar në të gjitha ndeshjet

- numri i pikëve në ndeshjet e drejtpërdrejta ndërmjet skuadrave me pikë të barabarta

- diferenca e golave ndërmjet skuadrave me pikë të barabarta

- numri më i madh i golave të shënuar në ndeshjet ndërmjet skuadrave me pikë identike

- shorti nga Komiteti Organizues i FIFA-s

penal

Faza eliminimit direkt

Në fazën e eliminimit direkt përfshihen 16 përfaqësuese që kanë avancuar nga faza grupore (nga dy nga secili grup). Raundi i parë është 1/8 e finales, pasojnë çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja. Po ashtu, do të zhvillohet edhe përballja për vendin e tretë. Në rast se ndeshjet përfundojnë baras, do të zhvillohen vazhdimet – dy pjesë nga 15 minuta dhe në rast se rezultati mbetet baras edhe pas vazhdimeve, janë penaltitë ato që do ta përcaktojnë fituesin.

0 komente