Postuar më: 29 June / 21:58

Herrera: Meksikën e eliminoi arbitri

Përzgjedhësi i Meksikës, Miguel Herrera, thotë se përfaqësuesja e tij u eliminua nga Kampionati Botëror, si pasojë e vendimeve të gjyqtarit.

El Tri ishin në epërsi prej 1-0 deri në minutën e 88-të kur Wesley Sneijder e barazoi rezultatin, ndërsa në minutat shtesë, arbitri Pedro Proenca akordoi penalti, të cilën e konvertoi në gol Klaas-Jan Huntelaar.

I pyetur pas ndeshjes se pse humbi skuadra e tij, Herrera u përgjigj: “Arsyeja ishte arbitri. Ai na eliminoi nga faza tjetër. Goli i parë ishte për shkak të një gabimi nga ana jonë”.

“Ai (Robben) simuloi tri herë, ndërsa arbitri u desh që t’i jepte karton që herën e parë. Arbitri është dashur ta ndëshkonte djaloshin që përpiqej ta bënte me hile. Po të ndodhte ashtu, atëherë Robben nuk do ta bënte për të dytën herë”.

“Nëse nuk bën asgjë herën e parë, lojtari e di se nuk do të përjashtohet”.

“Kur caktojnë një arbitër nga konfederata që është e njëjta me kundërshtarin, atëherë duhet të fillosh të pyesësh veten se pse atëherë ekzistojnë arbitrat nga konfederata, si Azia, Afrika etj.”, është shprehur Herrera. /Telegrafi/

0 komente