BrazilBraziliFIFAMaradonaMessiPeleRivelino

Postuar më: 28 June / 13:20

Keni dëgjuar ndonjëherë për Rivelinon, “Messin” e brazilianëve? (Video)

Meqë Kampionati Botëror po zhvillohet në Brazil, kemi menduar t’ju sjellim disa video për një ndër legjendat e futbollit brazilian, për të cilin edhe vetë Maradona kishte admirim të madh.

Bëhet fjalë për Roberto Rivelinon, i cili ishte i famshëm për mustaqet e tij, gjuajtjet e lira, pasimet e sakta, vizionin dhe driblimin. Ai gjithashtu e shpiki lëvizjen e famshme dribluese të quajtur ‘Flip Flap’, të cilën pastaj e kopjuan Ronaldinho, Ronaldo, Cristiano Ronaldo e shumë futbollistë të njohur botëror.

Rivelino ishte lojtar kyç i Brazilit që e fitoi Kupën e Botës të vitit 1970, që shpesh quhet si ekipi më i mirë i të gjitha kohërave në kampionate botërore. Duke luajtur në krahun e majtë të fushës, ai shënoi 3 gola, duke përfshirë këtu edhe një gjuajtje tejet të fuqishme kundër Çekosllovakisë, e cila ia dha atij nofkën “Patada Atomica” (shqip: goditje atomike) nga tifozët meksikanë.

Ai ishte një mesfushor ofansiv i cili thuajse ‘kërcente’ në fushë me top. Sa herë që kishte topin në këmbë ishte pothuajse e pamundur të mos i driblonte dy apo tre kundërshtarë, gjë për të cilën edhe Maradona e lavdëronte.

Ky i fundit, në një video të incizuar kohë më parë tregon në një intervistë se për të Rivelino është më i mirë se Pele, për shkak të elegancës së tij, driblimeve të tij dhe teknikës. Atë kohë, Maradona ishte thjeshtë i mahnitur nga ai. Nëse doni ta kuptoni pse brazilianët e quajnë atë si “Messin” e tyre, atëherë shikoni videot në vazhdim. /Telegrafi/

0 komente