Postuar më: 12 July / 18:00

Lahm: E duam titullin e kampionit

Philip Lahm, kapiteni i Gjermanisë, është shprehur optimist se skuadra e tij do ta fitojë Kupën e Botës ‘Brazili 2014’.

Gjermania të dielën do të luajë finalen e madhe të këtij Botërori kundër Argjentinës.
Mesfushori gjerman thotë se skuadra synon të rikthehet në vendlindje me trofeun e këtij Botërori. Lahm mendon se skuadra e tij do të ketë paraqitje të mirë kundër Argjentinës së Lionel Messit.

“Ne jemi optimistë. Dëshirojmë me çdo kusht të rikthehemi në Gjermani me titullin e kampionit të botës në duar. Tashmë na është dhënë kjo mundësi dhe nuk duam të dështojmë. Ne jemi plotësisht të fokusuar për të bërë një tjetër paraqitje si ajo ndaj Brazilit edhe në sfidën me Argjentinën. Do të luajmë në finalen e një Kupe Bote dhe duam të jemi ne kampionët”, ka thënë Lahm.

Ai mendon se skuadra e tij është pjekur për të luajtur një finale të tillë. Lahm thotë se shumica e skuadrës së ‘pancerave’ kanë eksperiencë të duhur për të luajtur në finalen e të së dielës.

“Shumë nga futbollistët tanë e kanë tashmë eksperiencën e nevojshme për të luajtur në finalen e një Botërori pasi më parë kanë luajtur me klubet e tyre në finalet e Champions League apo edhe të ndonjë kompeticioni tjetër të rëndësishëm. Mendoj se ky fakt do të ndikojë për mirë te ne. Por nuk duhet harruar që Argjentina ashtu si ne ka shumë lojtarë me eksperiencë të madhe mbi supe që kanë fituar shumë trofe në karrierën e tyre”, tha ai.

Përballja mes Gjermanisë dhe Argjentinës luhet në “Maracana” dhe nis në orën 22:00. /Telegrafi/

0 komente